in

Gomat e ricikluara ndihmojnë betonin ta përballojë nxehtësinë

Edhe pse betoni nuk digjet, ai mund të dëmtohet (ciflohet) kur i nënshtrohet nxehtësisë ekstreme – kjo do të thotë që shtresat sipërfaqësore të materialit shkëputen në mënyrë eksplozive, duke bërë që struktura e përbërë prej tij të prishet. Megjithatë, sipas një studimi të ri, fibrat e fituara nga gomat e vjetra mund të ndihmojnë që kjo të mos ndodhë.

Disa kompani tashmë i kanë shtuar fibrat polipropilene në beton, për ta parandaluar dëmtimin. Ideja është se kur betoni të nxehet nga zjarri, ato fibra do të shkrihen duke krijuar rrjete të kanaleve të vogla në të gjithë materialin. Çdo lagështi e pranishme brenda betonit mund të dalë përmes atyre kanaleve – përndryshe ato do të mbeteshin të bllokuar, do të bëhej avull dhe do ta detyronte materialin të shpërbëhej.

Zakonisht fibrat e përdorura për këtë qëllim përbëhen nga polipropileni i virgjër, i cili e kërkon një sasi të konsiderueshme të energjisë dhe burimeve për t’u prodhuar. Shkencëtarët në Universitetin Britanik të Sheffield, megjithatë, kanë përcaktuar se fibrat e marra nga gomat e vjetra janë po aq efektive. Më saktësisht, ato fibra vijnë nga një material për përforcim tekstili që zakonisht përdoret në goma.

Hulumtuesit tani po punojnë me firmën ndërtimore Twincon me seli në Sheffield, për ta rafinuar një teknikë të lirë për ndarjen e fibrave nga gomat, duke i shthurur dhe pastaj duke i shpërndarë në mënyrë të barabartë brenda një përzierjeje prej betoni. Ata po i analizojnë gjithashtu raportet e ndryshme fibër-në-beton, si dhe përdorimin e llojeve të ndryshme të betonit.

“Për shkak se fibrat janë aq të vogla, ato nuk ndikojnë në forcën ose ngurtësinë e betonit”, thotë dr. Shan-Shan Huang, autori kryesor i një punimi për studimin. “Puna e tyre e vetme është të shkrihen kur nxehtësia të bëhet intensive. Betoni është një material i brishtë, kështu që do të shpërthehet relativisht lehtë nëse nuk i ka këto fibra që ta ndihmojnë në zvogëlimin e presionit brenda betonit”.

Punimi u publikua kohët e fundit në revistën Fire Technology.

Hulumtuesit në Universitetin kanadez të British Columbia kanë kryer hulumtime të ngjashme, duke bërë që betoni të jetë më rezistent ndaj plasaritjeve duke i shtuar fibrat e polimerit të marra nga gomat e vjetra.