in

NASA zbulon formë të re të ADN-së gjatë hulumtimeve për jetë jashtë Tokës

Shkencëtarët e përkrahur nga NASA kanë ndërtuar një strukturë të ngjashme me atë të ADN-së që mund të ruajë dhe të transmetojë informata. Ky zbulim mund të sjellë mënyra të reja për ta zbuluar jetën jashtëtokësore.

Kjo gjetje tregon se ekziston mundësia që të ketë jetë të bazuar në forma të paimagjinueshme të ADN-së. Sipas shkencëtarëve, jeta në planetet tjera mund të zhvillohet përmes sistemeve të ndryshme molekulare, të ngjashme me ato që u ndërtuan në laborator.

Sistemi i ri molekular do t’ua mundësojë shkencëtarëve ta shqyrtojnë edhe një herë objektivin që po kërkojnë ta arrijnë pas hulumtimeve për ekzistimin e jetës jashtë planetit tonë.

ADN-ja është një kompleks molekulash që mundëson ruajtjen dhe transmetimin e informatave. Këto të dhëna kalojnë nga prindërit te gjeneratat e reja tek të gjitha krijesat në Tokë.

Një objektiv i rëndësishëm i NASA-s është zbulimi i jetës që mbështetet në struktura të ndryshme molekulare dhe gjetja e mënyrës për ta dëshmuar ekzistencën e tyre.

“Zbulimi i jetës jashtë planetit tonë është një objektiv i rëndësishëm i misioneve planetare të NASA-s. Kjo metodë e re e punës do të na ndihmojë për të ndërtuar instrumente efektive për t’i zgjeruar kërkimet tona”, tha Lori Glaze, drejtoreshë e Divizionit për Shkencë Planetare në NASA, shkruan “Independent”.