Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e sigurisë 40 ditë paraburgim për Fjolla Morinën me dyshimin për trafikim me armë dhe arratisje nga vendi i paraburgimit.Masa e paraburgimit do llogaritet prej momentit kur Morina është arrestuar.
Këtë vendim e mori ditën e sotme gjyqtari i procedurës paraprake Agim Kuçi, në prezencën e prokurores Javorka Prilincevic, të pandehurës Fjolla Morina dhe avokatëve të saj, Fehmije Gashi-Bytyqi dhe Fanol Krasniqi.
Fjolla Morina u arrestua dy ditë më parë në dyqanin e saj në Prishtinë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më 21 prill 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.
